Dje nën një atmosferë të zjarrtë, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër është zhvilluar ndeshja e vlefshme për kampionatin e basketbollit mes Vllaznisë dhe Teutës. Ndeshja ka folur për miqtë, që kanë marrë një fitore të rëndësishme përballë djemve shkodranë. Një nga lojtarët më të mirë që Vllaznia ka këtë sezon është edhe amerikani Brequis Perine. Basketbollisti ka munguar në dy ndeshjet e fundit, atë për Ligën Ballkanike dhe kampionatin.
Vetëm pak orë përpara sfidës së djeshme, lojtari nuk është ndierë mirë duke u detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, që rezultoi e suksesshme. “Një nga lojtarët më të mirë kuqeblu ditën e djeshme, rreth një orë përpara fillimit të takimit me Teutën nën kujdesin e Presidentit të Klubit Basketbollit Vllaznia, u detyrua të linte ekipin për t’iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, e cila u zhvillua me sukses, ndërkohë që në Pallatin e sportit “Qazim Dervishi” zhvillohej ndeshja më e rëndësishme e javës.
Menjëherë pas përfundimit të takimit, lojtarët dhe stafi drejtues janë drejtuar drejt spitalit rajonal Shkodër ku gjëndja e lojtarit tonë kuqeblu paraqitet e stabilizuar dhe pa asnjë problem.
Me këtë rast i urojmë lojtarit kuqeblu Brequis Perine rikuperim sa më të shpejtë”, shkruan klubi i Vllaznisë në reagimin zyrtar.
