
Presidenti i Formulës 1, Chase Carey, ka deklaruar se drejtuesit e makinave të F1, po përgatiten për mundësinë e moszhvillimit të sezonit 2020. Ai tha se ata diskutuan me huadhënësit se si të merren me humbjen e të ardhurave në pamundësinë për tu zhvilluar sezoni i 2020, por ai theksoi: "Ne jemi gjithnjë e më të sigurt që edhe pse nuk ka garanci, do të kemi një sezon kampionati 2020".
Carey, i cili në një konferencë online me investitorët, pas publikimit të rezultateve të tremujorit të parë, tha se: “Kriza e Coronavirusit pati një ndikim të rëndë në F1 dhe ne po mundohemi të rregullojmë situatën financiare. Shifrat kanë pasqyruar vështirësinë e krijuar për F1 nga mungesa e garave."
Carey tha se qëllimi aktual është që të fillohet sezoni në Austri, fundjavën e parë të korrikut dhe nëse kjo realizohet gara e ardhshme do të jetë ajo në Red Bull Ring.
Ai u shpreh që besonte se do të ishte e mundur të zhvillohej një kampionat me 15-18 garash dhe se plani ishte për një seri garash europiane deri në gusht dhe në shtator, para se të shkonte në Azi, Amerikë dhe Lindjen e Mesme, duke përfunduar më 13 dhjetor.
"Ne presim që garat evropiane të jenë pa tifozë," tha Carey, duke shtuar se ai po punonte që ekipet mund të zhvillojnë garat pa shtuar rrezikun e përhapjes së Coronavirusit.
Sporti ka bërë një seri lëvizjesh javët e fundit për të ulur kostot për ekipet në vazhdën e krizës së Coronavirusit. Këto përfshijnë vonimin e ndryshimeve në rregulloret teknike e financiare dhe detyrimin e skuadrave që të përdorin makinat e tyre të 2020 edhe për sezonin e ardhshme.