
Ai është prej disa kohësh lojtar fiks në ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, por veçanërisht vitin e fundit paraqitjet e tij kanë qenë mbresëlënëse, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë futbolldashësve. Sulmuesi Flavio Sulejmani realizoi tre gola në turneun UEFA Development U-16 që u zhvillua në Shqipëri në muajin prill, duke qenë protagonist absolut me golat dhe lojën e tij në tre fitoret që regjistroi Shqipëria U-16 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku. Por kjo nuk ishte rastësi, pasi goleadori i formuar në akademinë e Interit të Milanos, ka treguar talentin e tij në çdo ndeshje me fanellën kuqezi në çdo ekip të moshave.
Në intervistën e tij për Fshf.org, Sulejmani tregon për hapat e tij të parë në futboll dhe momentet kyçe të karrierës së tij deri më tani. Idhulli i tij kuqezi është Armando Broja, shembullin e të cilit shpreson ta ndjekë, ndërkohë që kur pyetet për objektivat që i ka vënë vetes, sulmuesi 16-vjeçar nuk ka limite dhe shprehet se një ditë dëshiron të fitojë Topin e Artë.
– Flavio, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?
– Lidhja ime me futbollin ka nisur që në moshën 5 vjeç, sepse më pëlqente shumë. Njeriu që më ka nxitur më shumë të merresha me futboll është babai im, por në fakt në familjen time të gjithë kanë luajtur futboll në të kaluarën, ndonëse jo në nivele profesionale, dhe kanë qenë gjithmonë shumë të apasionuar pas këtij sporti, që nga babai, xhaxhi madje edhe gjyshi.
– Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?
– Një nga arsyet që më motivon më shumë për të vazhduar rritjen me këtë profesion është ëndrra, që disa nga familjarët e mi nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë realitet, edhe pse kanë luajtur futboll dikur për t’u bërë profesionistë. Gjithashtu, dua të ngre sa më lart mbiemrin e familjes sime edhe për sakrificat që kanë bërë, duke më mbështetur dhe nxitur në çdo hap të jetës sime, që kur isha i vogël dhe vazhdojnë ta bëjnë edhe tani. Përveç të tjerash, dua shumë të kem sukses edhe për të plotësuar një ëndërr të gjyshit tim, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë dhe mendoj që ai tashmë është engjëlli im mbrojtës.
– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?
– Sigurisht, personi që më ka këshilluar gjithmonë dhe vazhdon të më këshillojë në karrierën time në futboll është babai im. Më qëndron gjithmonë pranë në çdo hap që bëj dhe është një nga mbështetësit e mi më të mëdhenj.