E tensionuar mbetet situata në Kombëtaren italiane, pas eleminimit në kualifikueset e Botërorit, ku Azurrët u ndalën në play-off nga Bosnje Hercegovina duke u mposhtur në sajë të 11-metërshave, pasi koha e rregullt u mbyll në barazimin 1-1.
Siç raportojnë mediat në itali, mësohet se trajneri Gennaro Gattuso e ka të pamundur të vijojë në stolin e skuadrës, teksa mundësitë janë të mëdha që në orët në vazhdim ai të paraqesë dhe kërkesën e tij për dorëheqje.
Edhe pse presidenti i federatës, Gabriele Gravina ka propozuar qëndrimin e tij, përtej këtij rezultati zhgënjyes, natyra e vetë Gattusos shihet si e vështirë për t’i ndryshuar mendim pasi parimi i tij është që të heqë dorë në momentin që objektivat e tij nuk përmbushen.
Në këtë vorbullë paqartësie, në ndihmë të Italisë mund të vijnë dy emra të cilët kanë qenë më parë pjesë e skuadrës kombëtare. Bëhet fjalë për dy ish-ët, Roberto Mancini dhe Antonio Conte.
Të dy trajnerët janë nën kontratë me klubet e tyre respektive, Al Sadd dhe Napoli, por gjërat mund të ndryshojnë në fund të sezonit pasi kampionatet të thonë fjalën e tyre për t’i ardhur më pas rendi i reflektimeve.
