
Flamurtari është një nga klubet që ka potencial ekonomik, por që gjatë dy sezoneve të fundit gjithçka ka qenë dështim, pasi nuk kanë mundur që të arrijnë objektivat e vendosur në fillim të sezoneve. Megjithatë, sezoni që do të nisë në gusht do të jetë i mirëmenduar dhe me merkato të kujdesshme. Ndërkohë që për merkaton po kontaktohen emra të mëdhenj lojtarësh.
Por, për këtë gjë klubi vlonjat ka vendosur të bashkëpunojë me shumë menaxherë për të sjellë në ekip lojtarë nga më cilësorët dhe për këtë qëllim ka kërkuar edhe ndihmën e një emri të madh në futbollin shqiptar, siç është Altin Lala. E konfirmojnë këtë fakt vetë drejtues të klubit vlonjat, të cilët kanë shumë besim te “malli”, që do të sjellë Altin Lala për Flamurtarin. Gjatë janarit vlonjatët bashkëpunuan edhe me drejtorin sportiv të Lacios, Igli Taren, një tjetër ish-lojtar shumë i njohur i Kombëtares. Tani kanë zgjedhur Lalën.