
Juventusi ka fituar në shtëpi përballë Lazios në ndeshjen parë të vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Sfida e zhvilluar në “Allianz Stadium”, përfundoi me rezultatin 2-0. Pas kësaj ndeshje para mediave ka folur edhe trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.
“Veprimet e arbitrit duhet të pranohen, nuk ka kuptim të diskutojmë çfarë ishte apo jo e drejtë. Ishte e rëndësishme të ktheheshim te fitorja dhe djemtë ishin mirë. Në pjesën e dytë ne përshpejtuam dhe ndërtuam disa raste. Kualifikimi nuk ka mbaruar, por duhet të kthehemi të mendojmë për të rregulluar situatën në kampionat.
Kam respekt për tifozët dhe ata duhet ta inkurajojnë ekipin. Mund të thuhen shumë gjëra, por përsa i përket angazhimit nuk kemi dështuar kurrë. Djemtë luajtën sonte si ekip, me përulësi dhe vendosmëri të madhe. Duhet ta shijojnë sepse e kanë merituar plotësisht”, është shprehur Allegri.