
Barcelona merr një tjetër fitore në kampionat, këtë herë ndaj Getafes, sfidë që u mbyll me shifrat 4-0 për katalanasit. Një triumph shumë i rëndësishëm për blaugranat që tashmë e shikojnë veten në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 57 pikë, 5 më pak se Real Madrid që ka një ndeshje më shumë për të luajtur.
Pas triumfit me Getafen, Xavi Hernandez ka theksuar se skuadra e tij mori një fitore bindëse dhe kjo bën që skuadra ta jetë me e qetë. Ndërsa sa i takon titullit, timonieri i Barçës ka theksuar se skuadra e tij nuk do të dorëzohet deri në fund, përderisa gjithçka është e mundur.
“Ishte një ndeshje shumë e kompletuar, në mbrojtje dhe në sulm. Ne u përballëm me një ekip agresiv, intensiv… ne ditëm të kërkonim hapësirat dhe të shënonim. Ekipi ishte shumë i mirë fizikisht, taktikisht, i pastër. Një fitore bindëse. Shumë i lumtur dhe i kënaqur, është një fitore që na jep pak qetësi dhe tani le të mendojmë për Athletic.
Raphinha dhe Joao shkojnë shumë mirë në thellësi. Ata kanë më shumë kapacitet për të shkuar në hapësirë. Meqenëse Getafe ka një linjë kaq të lartë mbrojtëse, ata duhej të shkonin pas shpine.
Klasifikimi? Asgjë nuk ndryshon, ne nuk dorëzohemi. Ne e dimë që duhet të fitojmë tri pikë çdo fundjavë. Na kanë mbetur 12, ata kanë 13 ndeshje. Java e kaluar ishte shumë pozitive, sepse ne e shkurtuam diferencën. Do të jemi shumë të vëmendshëm ndaj Gironas dhe Realit”.