
Arsenali dhe Manchester City u përballën mes tyre në “Emirates Stadium”, sfidë që përfundoi 1-0 në favor të “Topçinjve”. Një fitore që sjell shumë festë te Arsenal, pasi prej disa kohësh nuk e njihnin shijen e 3 pikëve përballë kampionëve të Premier League.
Pas këtij triumfi ka folur Mikel Arteta, i cili ishte shumë i lumtur, ndërsa theksoi se djemtë e tij mposhtën ekipin më të mirë në botë.
“Atmosfera është e jashtëzakonshme, duket që kishim vite pa fituar ndaj Cityt. Mendoj se mposhtëm skuadrën më të fortë në botë, e bëmë këtë në mënyrën më të shkëlqyer. Kishte momente gjatë ndeshjes në të cilat vuajtëm shumë, por kishte edhe momente që treguam dëshirën për të marrë pikët e plota.
Jam shumë i lumtur dhe kjo fitore shërben edhe si një mesazh për lojtarët që të besojnë në atë çfarë po bëjnë sepse janë një grup fantastik. Ekipi tregoi shumë maturi, kemi fituar eksperiencë dhe jemi përmirësuar”, u shpreh Arteta.