
Xavi Hernandez doli fitimtarë nga finalja e Superkupës së Spanjës ndaj Real Madrid, duke fituar kështu edhe trofeun e parë në krye të Barcelonës. Një fitore shumë e rëndësishme që u jep katalanasve edhe moral për pjesën tjetër të sezonit, pasi fitimi i një trofeu ndaj rivalit të përjetshëm merr më shumë vlerë.
Pas këtij triumfi, tekniku spanjoll ishte shumë i lumtur, ndërsa theksoi se ky grup do të arrijë rezultate fantastike në vazhdim, ndërsa nënvizoi se është vetëm fillimi.
“Jam shumë i lumtur. Më intereson shumë se si fitojmë. Është e rëndësishme të fitojmë, por duhet të mendojmë se si ia dolëm. Ne i dominuam ata nga fillimi në fund. Ky ishte plani ynë me katër mesfushorë, dhe funksionoi shumë mirë. Jam shumë i lumtur për lojtarët. Kjo skuadër ka marrë shumë kritika të padrejta dhe sot shumë lojtarë e kanë lënë veten të lirë. Ata do të punojnë më me qetësi”, ka theksuar fillimisht Xavi.
GAVI? “Gavi është spektakolar. Ai kurrë nuk mund të ndalojë së rrituri, ne të gjithë e dimë këtë. Këto vite kanë qenë kaq të vështira, me vështirësitë tona financiare, me largimin e Messit… Nuk është e lehtë të rikthehet një dinamikë pozitive, por jam i sigurt se këta lojtarë mund ta bëjnë këtë.
Është kaq e rëndësishme që lojtarët të besojnë në veten e tyre. Sot, ishte e qartë që në minutën e parë që ekipi e dinte se plani ynë i lojës do të funksiononte.
Kam qenë këtu për kaq shumë vite dhe e di se sa shumë vuajnë lojtarët kur gjërat nuk shkojnë mirë. Sot është fillimi i një dinamike të re pozitive. Sot fituam sepse ishim superiorë në mesfushë”, ka shtuar më tej Xavi.