
Declan Rice arriti të transferohet në “Emirate” në këtë merkato, me mesfushorin anglez që zëvendëson Granit Xhakën e larguar drejt Leverkusen.
Rice ditën e djeshme bëri debutimin e tij në një ndeshje zyrtare me Arsenal nga ku fitoi edhe trofeun e parë me “Topçinjtë”. Aventura e tij te Arsenal nuk mund të niste më mirë se kaq dhe pas sfidës ndaj Manchester City e vlefshme për Superkupën e Anglisë ka theksuar se po dridhet nga emocionet.
“Jam i ekzaltuar, po dridhem nga emocionet, jam realisht shumë i lumtur. Kur përballesh me Manchester Cityn duhet të kesh durim, pasi kundër tyre zhvillon disa mini-ndeshje brenda ndeshjes.
Trajneri na kishte paralajmëruar për rreziqet që do të na vinin prej tyre. Jam përmirësuar shumë në tri javët e fundit, e ndjej. Po mësoj gjëra të reja, po rritem falë kërkesave të trajnerit.
Arsenali? Jam i sigurt se mund të realizojmë çdo objektiv këtë sezon. Mjafton që të qëndrojmë të fokusuar dhe të mos humbim përqendrimin”, përfundoi Rice.
Kujtojmë se transferimi i anglezit u ka kushtuar arkave të Arsenal plot 116.6 milionë euro, shifër kjo që ka shkuar te West Ham.