
Cornel Predescu është afrimi i fundit i kampionëve. Lojtari rumuan luan në rolin e qendërmesfushorit me tipare organizative dhe ka arritur të bindë stafin teknik pas qëndrimit të tij me skuadrën në Antalya gjatë fazës përgatitore. Në një intervistë për webin e klubit, 29-vjeçari ka treguar ditët e para me kampionët, objektivat si dhe ka sqaruar çështjen e numrit 10-të, pasi sot në median e shkruar sportive thuhej se mesfushori rumun kishte vendosur si kusht në një pikë të kontratës që të merrte numrin 10-të, por kjo gjë ishte refuzuar nga klubi i Skënderbeut.
– Keni nënshkruar një kontratë me kampionët e Shqipërisë. Si e vlerësoni këtë aventurë?
Po është e vërtetë. Klubi shprehu dëshirën për tu bashkuar me skuadrën në Antalya dhe nuk hezitova. Pas qëndrimit në Antalya, stafi teknik dha ok, arritëm marrëveshjen me drejtuesit dhe u finalizua me kontratë. Sigurisht që jam shumë I kënaqur pasi Skënderbeu nuk është një klub I panjohur në Europë.
- Titulli është objektivi kryesor, por aktualisht jemi 4 pikë nga kreu…
Janë edhe dy faza të tjera për tu luajtur, çka do të thotë se janë shumë pikë në lojë. Do të përballemi edhe dy herë të tjera me kundërshtarët tanë. Jam i sigurtë që klubin nuk e shqetëson aspak diferenca, pasi grupi ka besimin dhe kualitetin për të arritur objektivin kryesor, titullin e rradhës për Skënderbeun.
– Një sqarim në lidhje me numrin 10 –të…
– Nuk është aspak e vërtetë që e kam kërkuar për më tepër që kam vënë kusht. Numri 10-të në Korçë i përket një ikone siç është ish-kapiteni skuadrës Bledi Shkëmbi dhe ashtu duhet të jetë. Numri nuk ka asnjë rëndësi, rëndësi ka që skuadra të realizojë objektivin.