Vora është ndalur në shtëpi përballë Partizanit, sfidë e përfunduar me rezultatin 2-2 në duelin e vlefshëm për javën e 28-të të Abissnet Superiore.
Të besuarit e trajnerit Arjan Bellait nuk ia dolën dot të merrnin fitoren, edhe pse ishin në avantazh deri në sekondat e fundit të përballjes, kur Partizani shënoi të dytin falë një aksioni në prapavijën e skuadrës vorake, falë autogolit të mbrojtësit Ohaegbulam.
Lidhur me këtë ndalesë të radhëz në kampionat, trajneri i vorakëve, Arjan Bellai ndihet i ngushëlluar me pikën e marrë ndaj një kundërshtari të cilin e quan si ekipin më në formë të momentit. Sipas tij, skuadra e tij nuk përballet me mungesën e cilësisë në kontigjent, por me presionin e një kalendari të vështirë dhe sheh me optimizëm sfidën pasardhëse me Tiranën ku tha se do të kërkojë maksimumin për "pikë" e mbijetesës.
"Të marrësh barazimin me Partizanin që është ekipi më në formë nuk është keq. Nuk janë pak pikët, pasi e dinim për vështirësitë. Nuk i lamë mundësitë. Më vjen keq për çunat. Përqëndrimin nuk ua përcjell dot, por duhet të jemi të qetë, pasi kundërsulmet i kishim. Këto janë hollësitë që na mungojnë për të siguruar ndeshjen. U vumë në vështirësi dhe nën presion.
Nuk duhet të humbasim pikët që kemi patur. Partizani ka lojtarë me rëndësi edhe pse nuk kishte raste. Nuk dua të them që nuk ishim në ditën tonë më të mirë.
E dinim që Partizani luante një kundër një dhe ishim të kujdesshëm për të mos hapur korridore. Është gjithmonë goditja e topit dhe prandaj jam i gëzuar për goditjet më shumë.
Nuk është se nuk kemi cilësi, por kur jemi nën presion nuk mund të kërkosh më shumë nga futbollistët. Nuk i fajësoj pasi është ngarkesë e madhe dhe jemi në një zonë të ftohtë në tabelë. Nuk duhet të kemi stresë. Po luajtëm pa presion mund të marrim pikët maksimale.
Dua t'i përgëzoj çunat pasi Partizani është ekip i mirë. Nuk duhet të ulim kokën pasi kemi kalendar të vështirë. Duhen pikë. Përballë Tiranës do kërkojmë maksimumin dhe të gjejmë ilaçin drejt rikthimit në fitore", deklaroi Bellai.
