
Xherdan Shaqiri mund të konsiderohet "goditja" e Liverpoolit në merkaton verore. Futbollisti shqiptar tregoi në supersfidën me Manchester United se mund të arrijë shumë më tepër nëse i jepet besim i plotë. Në Britaninë e Madhe pretendojnë se njeriu që shkarkoi teknikun e famshëm Jose Mourinho nga stoli i Manchester United është vetë Shaqiri, pasi dopieta e tij i dha fitoren "The Reds" në sfidën e fituar në "Old Trafford" me rezultatin 3-1.
Pavarësisht kostos së ulët që ai u ble nga Liverpooli (13 milionë €), Shaqiri ka lënë pas yllin e Barcelonës, dikur njërin prej më të mirëve të Liverpoolit Philippe Coutinhon. Braziliani ka regjistruar statistika të një lojtari të rëndomtë këtë sezon, krejtësisht ndryshe nga Shaqiri, i cili në më pak minuta ka qenë më efektiv dhe produktiv se futbollisti i kampionëve të Spanjës. (Coutinho në 925 minuta, 4 gola në 15 ndeshje; Shaqiri 626 minuta, 5 gola në 13 ndeshje).
Pavarësisht diferencave të mëdha që kanë në aspektin teknik, vullneti dhe përkushtimi i Shaqirit është për t'u marrë shembull, ndërsa tashmë te Barcelona po mendojnë për shitjen e Coutinhos për një shifër mbi 100 milionë €.