
Ditën e sotme luhen ndeshjet e kthimit të fazës Play-off në Europa League, nga ku do dalin dhe ekipet e fundit të kualifikuara për në grupe.
Bie në sy sfida mes Copenhagen dhe Atalantës, ku ndeshja e parë në Bergamo është mbyllur në barazim pa gola, duke lënë kështu gjithçka të hapur. Ish-kundërshtarët e Kukësit në turet paraardhëse Torpedo dhe Qarabag janë para detyrës së përmbysjes së disavantazheve 1-0 të ndeshjeve të para përkatësisht kundër Ludogorets dhe Sheriff.
Një betejë e vërtetë pritet dhe në Stamboll, mes Besiktas dhe Partizanit të Beogradit, ku ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1. Së fundmi do jetë Shkëndija ajo që do tentojë historinë përballë Rosenborg, ku një përmbysje e humbjes 3-1 një javë më parë në Norvegji do të çonte tetovarët në grupe për herë të parë në histori.