
Pavarësisht se fituan ndaj Gjermanisë dhe u kualifikuan në gjysmëfinalen e Euro 2024, por ky triumf i ka lënë me pasoja.
Mesfushori kyç i ekipit, Pedri nuk do të jetë pjesë e Spanjës as në gjysmëfinalen përballë Francës dhe as në një finale të mundshme. Dëmtimi që mesfushori pësoi në minutën e 8-të pas përplasjes me Kroos duket se ka qenë mjaft serioz.
Pas ekzaminimeve të bëra nga stafi mjekësor, është mësuar se Pedri ka qenë shumë pranë këputjes së ligamentit, që mund ta linte jashtë për muaj të tërë, por kësaj tragjedie i ka shpëtuar.
Mësohet se mesfushori i Barcelonës do të jetë për disa javë jashtë fushave, duke mos ditur ende kohën e saktë të rikuperimit. Megjithatë, 21 vjeçari do të vazhdojë të qëndrojë me përfaqësuesen e tij në Gjermani, duke i mbështetur nga afër.