
Ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç mbrëmjen e djeshme teksa po ndiqte ndeshjen mes Italisë dhe Shqipërisë ka dhënë një deklaratë që ka shkaktuar shumë reagime në rrjet.
Në një prononcim për RTS-në (televizionin publik serb), Abazoviç ka thënë se ndeshjen e sotme ndërmjet Serbisë dhe Anglisë në Euro 2024 do ta shikojë në stadium dhe se do ta mbështesë Serbinë.
“Nesër në mbrëmje do të jem në stadiumin e Gelsenkirchen, duke brohoritur për Serbinë kundër Anglisë. Shpresoj se është koha për befasinë e parë të madhe, edhe një barazim dhe do të ishte rezultat i mrekullueshëm, por pse të mos besoni se Anglia mund të rrëzohet”, - tha Abazoviç.
Ish-kryeministri i Malit të Zi tha se beson në kalimin e Serbisë në fazën tjetër të garës.
“Nesër është testi më i madh, nëse shkon mirë, mendoj se do të jetë një ecuri e madhe. Serbia ka individë të mrekullueshëm, mendoj se më në fund do të tregojnë se janë një ekip i madh”, - tha Abazoviç.