Vllaznia fitoi në shifrat 4-0 kundër Lushnjes dhe në këtë mënyrë kuqeblutë hodhën një hap për qëndrimin në Superligë edhe për sezonin tjetër. Protagonist në këtë takim u bë edhe Belajdi Pusi. Sulmuesi 20-vjeçar realizoi në debutimin e tij me kuqeblutë ku i mjaftuan vetëm 2 minuta në fushë për të gjetur golin e parë në Superligë. Për Newsport.al, Pusi shprehet i emocionuar për golin e tij të parë me Vllazninë dhe ka një dedikim të veçantë për të.
Pusi tha: "E kisha ëndërruar prej kohësh një gol të tillë me fanellën e Vllaznisë. Kjo është një ëndërr e bërë realitet, por unë nuk dua që të ndalem këtu pasi do punoj fort që të vazhdoj të shënoj gola të tjerë në të ardhmen. Ky gol për mua merr një kuptim akoma më të veçantë pasi e shënova në një stadium legjendar si 'Loro Boriçi' dhe pikërisht përballë tifozëve të Vllaznisë. Dedikimi i golit ? Shkon për gjithë familjen time, por në veçanti për babain tim që ka qenë gjithmonë pranë meje në çdo hap të karrierës sime deri më tani".
