
Ylli shqiptar i futbollit europian Granit Xhaka është shpallur në Zvicër si "personaliteti më me ndikim për vitin 2018". Në një votim publik, 26-vjeçari kaloi presidentin e FIFA-s Gianni Infantinon dhe tenistin e suksesshëm Roger Federer.
Futbollisti i Arsenalit u vlerësua me motivin për supergolin e shënuar ndaj Serbisë në Kupën e Botës së 2018, ndikimin në bashkimin e kombëtares zvicerane pas debateve për largimin e lojtarëve me dy nënshtetësi dhe festimin me "shqiponjë" që u kthye në njërën prej momenteve më të nxehta jo vetëm të Kupës së Botës, por dhe të futbollit zviceran.
Futbollisti u përfshi në debat të hapur me ish-sekretarin e Federatës Zvicerane të Futbollit Alex Meischer duke i konsideruar mendimet për shndërrimin e Zvicrës në një kombëtare të pastër multikulturalisht, jo të përzier si "primitive". Pas kësaj, Meischer dha dorëheqjen.
Xhaka bashkoi Zvicrën gjatë Ligës së Kombeve duke ndihmuar në triumfet historike 6-0 me Islandën dhe 5-2 me Belgjikën (skuadra e parë në renditjen e FIFA-s). Falë influencës së tij, tekniku Vladimir Petkovic ruajti stolin te Zvicra.
Xhaka po kthehet në simbol të futbollit zviceran dhe shtetit. Ai parashikohet që në të ardhmen të jetë kapiteni i ri i Zvicrës dhe mund të shpallet lojtari i parë jo-zviceran me më shumë ndeshje me fanelën helvete, pasi deri tani numëron 76.