
Caleb Ekuban dëshiron të jetë lojtar i Trabzonsporit. Ish-sulmuesi i Partizanit është përshtatur më në fund në Turqi me ekipin e Trabzonsporit duke realizuar plot 5 gola në 15 ndeshje, ku në shumicën e tyre nuk është aktivizuar si titullar.
"Bomberi" 24-vjeçar pranoi për median turke "Haber 61" se do të pranonte firmosjen e kontratës si lojtar i plotë i Trabzonsporit.
"Ardhja këtu (në Turqi) ishte vendimi më i mirë në jetën time. Klubi dëshiron që të më mbajë. Synoj që të qëndrojë këtu", deklaroi futbollisti italo-ganez.
Ekuban spikati me fanelën e Partizanit në sezonin 2016/2017 duke realizuar në total 18 gola në 42 ndeshje. Falë kësaj paraqitje mbresëlënëse, Partizani e shiti te klubi i njohur anglez Leeds United për shifrën e 560 mijë , por aventura e tij në Angli u kthye në makth teksa asnjëherë nuk e gjeti veten duke shënuar vetëm një gol në 20 ndeshje.
Huazimi i tij në Turqi e ka ndihmuar të fitojë sërish besimin dhe golat.