Zekirija Ramadani shpallet kampion i Superligës me Trepça ’89 në Kosovë.
Trajneri 39-vjeçar drejtoi me sukses skuadrën nga Mitrovica në këtë sezon, duke e shpallur atë kampion për herë të parë.
Zekirija Ramadani nuk është një emër i panjohur për futbollin shqiptar, sepse sezonin e shkuar ai ishte trajner i Flamurtarit. Drejtimin e skuadrës vlonjate e mori në janar të 2016-ës dhe e dërgoi atë deri në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Por, në fund të sezonit, Ramadani u shkarkua nga presidenti Idrizi, duke u larguar me “kokën pas”, por me fjalët më të mira për Flamurtarin, drejtuesit dhe tifozët vlonjatë, të cilëve u kishte fituar respektin që në sezonin 2010–2011 kur u prezantua si futbollist i skuadrës që në atë kohë drejtohej nga trajneri Gugash Magani. Në atë periudhë, Ramadani që aktivizohej në rolin e qendërmbrojtësit ishte një nga pikat e forta të Flamurtarit që rivalizonte për titull kampion në Superligë, por në fund e humbi përballë Skënderbeut.
Trajneri i lindur në Shkup ka drejtuar më parë edhe skuadrën e vendlindjes së tij, para se të kalonte në stolin e Flamurtarit.
Te Shkupi gjithashtu fitoi respektin e tifozëve, ndërsa këtë sezon, në debutimin e tij në Superligën e Kosovës ka bërë për vete fansat e Trepça ’89 duke iu dhënë atyre për herë të parë mundësinë që t’i gëzohen një titulli kampion. / NEWSPORT.AL/