
Kosova do të luajë në muajin qershor disa teste miqësore para sfidave kualifikuese për Kupën e Botës. "Dardanët" do të zhvillojnë katër miqësore. Fillimisht më 1 qershor do të përballen me San Marinon në "Fadil Vokrri", e më pas do të udhëtojnë në Austri për t'u përballur me Maltën (më 4 qershor), derisa më pas do të udhëtojnë në Antalia, ku do të zhvillojnë miqësoret me Guinenë dhe Gambinë, më 8 përkatësisht 11 qershor.
Për këto sfida, trajneri Challandes do të grumbullojë edhe disa lojtarë të rinjë që do të provohen nëse janë gati për të luajtur me Kosovën apo jo. Destan Bajselmani është një nga emrat që do t'i bashkohet Kosovës për këto ndeshje. 22-vjeçari luan në elitën e futbollit hollandez me skuadrën e Zëolle. Bajselmani luan si mbrojtës i djathtë, ndërsa është kërkuar edhe nga Shqipëria, por lojtari ka preferuar që të përfaqësojë Kosovën.