
Trajneri i Kombëtares, Gianni de Biasi ka qenë i ftuar në Supersport, përballë gazetarit Alban Xhihani. Tekniku italian ka bërë një analizë të përgjithshme për vitin 2016. Prej 5 vitesh De Biasi drejton Shqipërinë dhe ai nuk kaloi pa komentuar edhe situatën në grupin eliminator të Botërorit "Rusi 2016".
"Spanjën e dinë të gjithë se çfarë kualiteti ka. Nuk mund të bënim më shumë kundër një ekipi si ai i iberikëve. Italia? Epo mund të mendohet se nuk është më ajo skuadër e para një dekade, por mbetet Italia sido të jetë. Për sa i përket Izraelit, mendonin të gjithë se do ta kishim më të lehtë ndaj tyre. Por, ata që flisnin nuk e njihnin kualitetin e asaj skuadre. Humbja e fundit na dhembi shumë, por mënyra se si erdhi dhe gjithë ajo rrëmujë para atij takimi në Elbasan e komplikoi edhe më shumë atë 90 minutësh”, ka thënë De Biasi.
Sa i përket pezullimit me dy ndeshje të portierit Etrit Berisha, italiani është shprehur se: “Në fakt ishte i pritshëm. U penalizuam nga një veprim finok i Zahavit. Por, nëse do të ishte në dorën time, atë simulim të sulmuesit të Izraelit do ta dënoja me të paktën 4 ndeshje”, tha italiani.
Për sa i përket të ardhmes së tij te Shqipëria, italiani nuk e kaloi pa një batutë, teksa deklaroi:
“Nuk e di se ku do jem, por Duka ma ka bërë pyetjen nëse do të qëndroj ose jo te Shqipëria, madje më ka ofruar edhe kontratën financiare. Ti sa lekë më jep nëse ta them nëse do rri ose jo?”, i tha De Biasi gazetarit Alban Xhihani, ndërsa ky i fundit iu përgjigj: “Një drekë”.
https://www.youtube.com/watch?v=OEojGcV8eF0