Nevil Dede në një intervistë për GazetaBlic në Kosovë ka folur për Kombëtaren shqiptare ku shprehet se ka besim te skuadra dhe te trajneri Sylvinho që do të rikthejë futbollin aktrativ e të pëlqyeshëm.
“Besoj që kemi shumë mungesa dhe emrat si Gjimshiti, por edhe Ismajli, duket një problem i madh në pamje të parë, por besoj që gjithçka do varet nga zgjedhja që do të bëjë trajneri Sylvinho dhe mënyra se si do ta aplikojë filozofinë e tij, sepse kemi parasysh që është një trajner i ri që do mundohet të sjellë risi. Kemi një kundërshtar të vështirë, këtu nuk lejohen gabimet, po nuk gabuam besoj që do jetë më e lehtë për ne“, tha fillimisht Dede.
“Me trajnerin e ri besoj që do të bëhet loja më atraktive për ne si tifozë, pasi tani edhe unë jam një tifoz i kombëtares, dikur kam kontribuar për kombëtaren. Mendoj që në vendosje dhe në skemën e lojës do jemi më sulmues. Gjithçka mbetet për t’u parë pasi është vetëm ndeshja e parë, fati i keq i Sylvinhos është që ka disa mungesa të mëdha është e vërtetë, por që do luajmë më shumë me topin jam i bindur për këtë“, shtoi ai.Dede deklaroi se shpreson që Shqipëria mund të kualifikohet në Kampionatin Evropian.
“Njeriu dorëzohet vetëm kur i pushon zemra, unë shpresoj që do kemi paraqitje të mirë. Gjithçka do varet nga riformatimi që do e bëjë Sylvinho dhe skemën që do e bëjë ai“, vazhdoi ish lojtari i Shqipërisë.
Sa i përket sulmit, Dede beson se Sylvinho ka zgjedhje të mira në repartin ofanziv duke parë emra si Cikalleshi, Uzuni e Seferi të cilët janë në formë të mirë me ekipet përkatëse.“Ne mund të hamendësojmë se çka do të bëjë Sylvinho, por e rëndësishme është që lojtarët që do startojnë të jenë të motivuar, të kuptojnë se mund të bëjnë më shumë se më parë. Për mua është e rëndësishme që lojtarët më në formë të jenë në fushë.
Duhet të bëjmë më të mirën me këta lojtarë që kemi, po të fillojmë të qajmë mungesat do të gjejmë justifikime. Seferi ka mundësi për të bërë shumë, ndoshta nuk ka shpejtësinë dhe forcën e Brojës, por ka cilësi tjera që trajneri mund t’i vë në pah. Mos të harrojmë që kemi lojtarë në formë si Uzuni, që mund të jetë një forcë e madhe për sulmin e Sylvinhos“, përfundoi Nevil Dede