
Brazilit i duhej vetëm një barazim kundër Perusë për të siguruar kualifikimin në 1/8 e finales në Copa America. Por, 15 minuta para përfundimit të takimit një krosim nga Andy Polo shkoi në drejtim të Raul Ruidiaz, i cili me dorë e dërgon topin në rrjetën e Brazilit. Gjyqtari e cilëson si të rregullt, duke eliminuar Brazilin nga kjo garë. Dunga u shpreh se me këtë rast nuk kanë çfarë të bëjnë, pasi një gjë e tillë nuk mund të ndryshohet.
“Çdokush e ka parë se çfarë ndodhi sot. S’mundemi të bëjmë asgjë”, ka thënë Dunga.
Humbja me Peru-në e dërgon Brazilin në shtëpi, duke mos arritur kështu të kalojë grupet për herë të parë që nga viti 1987. Grupin B e kalojnë Peru, i pari në grup, dhe Ekuadori. Të premten Peru-ja luan kundër Kolumbisë.