
Franco Lerda është dënuar me dy muaj nga Gjykata Sportive në Itali. Ish-trajneri i Partizanit ka marrë këtë masë ndëshkimore për shkak të ofendimeve raciste ndaj një kundërshtari gjatë ndeshjes kundër Renates. Aktualisht në krye të Pro Vercellit, Lerda nuk mundi të merrte më shumë se një barazim 1-1.
Trajneri, siç bëhet me dije në komunikatën e gjyqtarit sportiv, është dënuar për diskriminimin e një lojtari kundërshtar në minutën e 35-të të pjesës së parë duke shqiptuar një epitet që konsiderohet si diskriminim racor. Siç raportojnë mediat italiane, klubi i Pro Vercellit do ta apelojë këtë vendim. Kujtojmë që edhe në Shqipëri, Lerda u shquajt për karakterin e vështirë me futbollistët. Por, shpesh nuk mungonin as përplasjet me gazetarët.