
Ka qenë në fushë në ndeshjen e parë kundër Spanjës, ndërsa sot rikthehet të flasë për supersfidën që kuqezinjtë luajnë ndaj Iberikëve. Sulejman Demollari ka dhënë një prononcim për mikrofonin e Supersport ku është shprehur:
"Spanja në atë ndeshje kishte lojtarë të kalibrit të lartë duke nisur nga portieri Zubizareta dhe një prej sulmuesve më të mirë në Botë në atë kohë, Butragenjo. E vërteta është që bëmë një ndeshje shumë të mirë. Ajo që duhet thënë është se atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Kishte shumë tifozë dhe ishin në lartësinë e duhur.
Kishim minuta që e kërkonim golin dhe e gjetëm shpejt. Më kujtohet shumë mirë që ishte një gol i bukur i Muçës. Ishte një goditje brenda zonës me të majtën. Ishte një pjesë e parë, shumë e mirë e Shqipërisë. Dëshira jonë ishte që ta vazhdonim këtë lojë dhe të merrnim një rezultat pozitiv, por nuk ia arritëm qëllimit.
Këtu hyn edhe përvoja e lojtarëve që spanjollët e kishin të madhe. Ishin lojtarë me emër që luanin nëpër klube të mëdha. Pavarësisht humbjes, si skuadra, edhe tifozët, mbetën të kënaqur me lojën shumë të mirë që bëmë duke treguar dinjitet në fushë.
Në atë kohë ishte shumë e vështirë përballë Spanjës, që synonte jo vetëm të shkonte në fazën finale të kompeticioneve, por edhe të fitonte trofetë, qoftë Europianin apo Botërorin.
Edhe sot, dihet që është një superfuqi botërore. Sot, lojtarët e Shqipërisë duhet të luajnë me idenë se e kanë fituar një personalitet. Janë lojtarë profesionistë që kanë krijuar personalitet dhe duhet të japin gjithçka”, përfundoi ai.
Kujtojmë që në sfidën e 3 dhjetorit të vitit 1986, Shqipëria u mund nga Spanja me rezultatin 2-1. Asokohe për tanët shënonte Shkëlqim Muça duke kaluar në avantazh të parët ekipin kuqezi.