
Më pak se 2 muaj na ndajnë deri në fillimin e evenimentit më të madh të botës së futbollit, Kupa e Botës. Vendi organizator është Katari që ka punuar prej vitesh për ndërtimin e stadiumeve nga e para vetëm për këtë event dhe në media janë ngritur polemika për jetët e humbura të punëtorëve gjatë punimeve.
Ekipet javën e fundit kanë prezantuar fanellat e reja që do të përdoren në Katar dhe Danimarka ka zgjedhur një formë të veçantë proteste. Designi i detajeve të fanellave është i zbehtë si protestë për të mos u dukur gjatë turneut që ka vrarë mijëra.
Postimi i sponsorit të fanellave daneze, Hummel Sport:
“Duam të dërgojmë një mesazh të qartë. Ky design është një protestë kundër Katarit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Ne kemi ulur tonet e të gjitha detajeve tona në fanellë, emrin, logon dhe simbolin ikonë.
Ne nuk duam të jemi të dukshëm në një turne që ka kushtuar mijëra jetë njerëzish. Mbështesim kombëtaren daneze por asnjëherë Katarin si vend organizator. Sporti duhet të bashkojë njerëzit dhe kur kjo nuk bëhet atëherë ne duhet të mbajmë një qëndrim.”- deklaroi sponsori i danezeve Hummel Sport.