
Gardiani i Real Madrid, Thibaut Courtois ka folur për të ardhmen e Eden Hazard. Sipas shtatëlartit, fantazisti është kushtëzuar nga dëmtimet dhe për dy vite e gjysmë nuk e ka treguar vetën në La Liga, teksa sipas tij Eden është ndër lojtarët më të mirë në botë. Për belgun, bashkëlojtari i tij edhe në kombëtare do qëndrojë në Madrid për të rifituar formën.
“E kam njohur Eden për një kohë të gjatë dhe e di që ëndrra e tij ishte të luante për Real Madridin. Është keq që nuk ka funksionuar ende siç do të donin të gjithë. Unë mund të shoh se ai ka dëshirën, gëzimin dhe dëshiron të ndihmojë ekipin. Kërkon të përmirësohet. Nuk është e lehtë të rifitosh formën tënde më të mirë kur nuk ke luajtur për dy vitet e gjysmë.
Ka treguar në të gjithë karrierën e tij se është një nga lojtarët më të mirë në botë. Nuk ka mundur ta tregojë këtë kohët e fundit, por ai talent nuk është zhdukur dhe jam i sigurt se ai do të rikthehet, kështu që nuk mund ta “vrasim” duke besuar se ai është një lojtar mesatar sepse nuk është e vërtetë”, tha Courtois.