
Bylis-Laçi do të jetë një nga sfidat që shorti i Kupës së Shqipërisë ka përcaktuar për këtë raund të dytë të këtij kompeticioni.
Ashtu si një vit më parë, ballshiotët dhe kurbinasit do të përplasen sërish me njëri-tjetrin në Kupë. Vitin e kaluar, Laçi eliminoi Bylisin, ndërsa sot në "Adush Muça", të besuarit e trajneri Eqerem Memushi do të kërkojnë të hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit për më tej, duke shfrytëzuar faktin që luajnë sfidën e parë në shtëpi.
Përballjet mes Bylisit dhe Laçit kanë qenë përherë të "zjarrta", një rivalitet i nisur që nga 2013-ta në finalen e Kupës së Shqipërisë të cilën atë sezon e fituan kurbinasit.
Vazhdimi i ndeshjeve mes ballshiotëve dhe kurbinasve nuk ka qenë i qetë, duke ditur edhe faktin se, ishte pikërisht sfida ndaj Laçit që rezultoi fatale për Bylisin në 2013-ën, pas ngjarjeve të ndodhura në fund të atij takimi, kur ballshiotët u dënuan nga Disiplina me përjashtim nga Superliga.
Kjo pas ngjarjeve të ndodhura në korridoret e stadiumit "Adush Muça" mes ish-presidentit Kapllanaj dhe delegatit të ndeshjes Besnik Çela.