Trajneri i Anglisë Thomas Tuchel ka folur për mediat në Tiranë, ndërsa nesër në orën 18:00, “Tre Luanët” përballen me Shqipërinë, ndeshja e fundit në Grupin K, kualifikueset e “Botërorit 2026”.
Pavarësisht rezultatit, Anglia e ka siguruar “biletën” për pjesëmarrjen në kompeticionin më elitar në rruzullin tokësor, kurse Kombëtarja jonë duhet të kalojë nga “dera” e “play-off”-it.
Një vit si trajneri i Anglisë?
Kam mësuar shumë për punën. Më është dashur të mësoj sepse është shumë ndryshe nga futbolli i klubeve. Nihmëstrajnerët e mi më mbajnë në dijeni me informacione, strategji, mënyra për të luajtur dhe të dhëna të reja rreth inputeve e rezultateve fizike. Kjo është mirë, kjo është e nevojshme që ne si trajnerë të jemi në krye të lojës për të ndikuar te lojtarët tanë.
Përballja me Shqipërinë?
Duam të fitojmë përsëri. Nesër përballemi me një skuadër që është e vështirë për t’u mposhtur, kështu që ndoshta gjatë periudhës kualifikuese, ata pësuan vetëm tre gola - dy nga ne, kështu që është e vështirë të krijosh raste, e vështirë të shënosh kundër tyre.
Përgatitjet para ndeshjes?
Dje u siguruam që seanca stërvitore që patëm të tregonte cilësinë dhe mentalitetin e lojtarëve që nuk luajtën, pra të ishte në nivelin më të lartë, gjë që ishte kënaqësi e pastër ta shihje dhe të ishe pjesë e asaj seance stërvitore. Kjo më tregoi përsëri se po ndërtojmë dhe po shkojmë në rrugën e duhur, kështu që të gjithë janë gati për të luajtur, të gjithë mezi presin të fillojnë.
Plani taktik?
Sot, përgatitëm zgjidhjet tona ofensive, folëm për strukturën mbrojtëse të Shqipërisë si gjithmonë dhe patëm një seancë stërvitore taktike. Gjithçka për të cilën flasim është procesi dhe për gjërat që mund të ndikojmë.
Gjendja fizike e ekipit?
Nuk e di plotësisht se kush do të jetë titullar. Ende nuk kemi vendosur, do të marrim vendime nesër në mëngjes. Ende duhet të flas me disa lojtarë. Të gjithë ishin në stërvitje përveç Ezri Konses, i cili ndjeu një shtrëngim në pulpë dhe qëndroi në Londër për vlerësim të mëtejshëm, kështu që të gjithë të tjerët do të jenë në skuadër, sepse të gjithë u stërvitën.
