Prokurorët e përgjithshëm të New York-ut dhe New Jersey-t kanë nisur një hetim mbi mënyrën e shitjes së biletave për Kupën e Botës 2026.
Sipas “The Guardian”, vëmendja është përqendruar te ndeshjet që do të zhvillohen në stadiumin “MetLife”, pas ankesave të tifozëve për vendet dhe çmimet e biletave.
Hetimi lidhet me pretendimet se tifozët janë mashtruar për vendndodhjen e vendeve, pasi FIFA ndryshoi strukturën e kategorive të stadiumit pas nisjes së shitjeve.
Sipas ankesave, blerësit e zonave të reja përfunduan me vende më pak të favorshme, përfshirë sektore larg fushës ose pas portave.
Debati është ndezur edhe nga çmimet e larta të biletave, të cilat variojnë nga 60 dollarë për ndeshjet e grupeve deri në 10,990 dollarë për finalen, ndërsa në tregun e rishitjes janë raportuar oferta që arrijnë deri në 2 milionë dollarë.
Pas nisjes së hetimit, Guvernatorja e New Jersey-t, Mikie Sherrill, shprehu mbështetje për procesin, ndërsa New York-u ka propozuar bileta prej 50 dollarësh për banorët e qytetit.
