Në Botëror jemi mësuar që të shohim spektaklin që ofrojnë yjet e globit dhe padiskutim, kjo pritet të ndodhë dhe këtë edicion që do të startojë më 10 qershor, aty ku do të marrin pjesë plot 48 skuadra, si rrallëherë në historinë e këtij turneu prestigjoz.
Një shans më shumë për të parë “magjinë” në fushën e lojës, edhe pse duhet thënë që për shumë prej emrave të mëdhenj të futbollit, mund të jetë dhe i fundit sa i përket paraqitjeve në këtë nivel.
Nga Leo Messi, Cristiano Ronaldo, te Luka Modric, Granit Xhaka e duke përfunduar me lojtarë të kalibrit si Neymar, Mohaned Salah dhe Guilhermo Ochoa. Sa shumë yje, sa shumë histori, nostalgji dhe “arsye” përse Kupa e Botës ka marrë kaq shumë kuptim.
Lamtumirat janë të “dhimbshme” dhe vështirë të konceptohen, sidomos kur kupton se je mbërthyer pas ekranit pikërisht për të parë “drithërimat” që ata kanë shkaktuar me kontributet e tyre. Por, le të themi sërish për të fundit herë, përpara se e gjitha të mbetet thjesht një kujtim: Të ndjekim “artin” e vërtetë të këtij sporti, pavarësisht se kush qëllon me fat për të ngritur lart këtë trofe.
