Ylli argjentinas i futbollit, Lionel Messi do te jetë në një tur disa ditor në Indi. Kjo pasi u njoftua dhe ngritja e një statuje 22 metra të lartë në Kalkuta, në të cilën është Messi teksa mban në dorë Kupën e Botës.
Me qëllimin e inaugurimit të statujës por jo vetëm, vizita e yllit argjentinas pritej që të ishte një emocion i bukur për të gjithë tifozët, por në fakt jo gjithçka shkoi sipas planit. Në stadiumin "Salt Lake" mbi 85 mijë tifozë pritën prej orësh që të shihin afër yllin, por ky i fundit i përshëndeti vetëm për pesë minuta dhe diçka e tillë ka sjellë zemërimin e tyre.
Ndërkohë edhe në këtë 'minikohë' Messi ishte i rrethuar nga zyrtarë shumë të lartë duke e bërë gati të pamundur afrimitetin me tifozët. Reagime të ashpra pasuan, me stola të thyer dhe të hedhur në fushë, madje sipas medieve u thyen edhe barrierat mbrojtëse. Ndërsa tifozët të tensionuar, shpjeguan se e gjithë sjellja e tyre ndodhi pasi ata kishin blerë një biletë për 12 mijë rupi (132.51 dollarë amerikanë), por as nuk mundën ta shihnin fytyrën e tij.
Pas Kalkutës, Lionel Messi do të vizitojë katër qytete kryesore në Indi. Më pas, “pleshti” do të udhëtojë për në Hyderabad dhe Andhra Pradesh, ku do të takohet me tifozët e tij dhe do të marrë pjesë në aktivitete. Udhëtimi i tij do të vijojë më pas në Mumbai dhe New Delhi.
View this post on Instagram
