
Milani ka triumfuar në miqësoren përballë Manchester Cityt, mes një spektakli të 5 golave. Sfida e zhvilluar në “Yankee Stadium” në New York, përfundoi me fitoren 2-3 të ekipit italian.
Edhe pse ishte Erling Haaland ai që kaloi Cityn në avantazh si fillim që në minutën e 19-të, Milani ia doli që të përmbyse pa u mbyllur pjesa e parë. Ishte Lorenzo Colombo ai që shënoi në minutën e 30-të dhe 34-të, me të asistime të marra nga Chukwueze.
Me nisjen e pjesës së dytë, City u bë më sulmues dhe kërkues. Ishte talenti McAtee ai që riktheu baraspeshën në “Yankee Stadium”, por diçka e tillë ishte momentale. Sulmuesi 20-vjeçar i Milanit, Marco Nasti shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 78-të, i cili ishte i treti për “Djallin”.
Ky gol ishte ai që vendosi rezultatin përfundimtar të sfidës, me Milanin që dha nota shumë pozitive. Në krahun tjetër, u pa që City i Guardiolës kishte probleme të theksuara në mbrojtje.