
Jemi në mesin e merkatos verore, teksa disa nga ekipet big kanë bërë lëvizjet e tyre. Në Top 10 e transferimeve më të shtrenjta bien në sy emra të rinj të futbollit dhe plot surpriza.
Plot 516.85 milionë euro është totali i listës së 10 transferimeve më të shtrenjta deri më tani. Një mesatare rreth 51 milionë euro për transferim. Një shifër mjaft e majme, e cila tregon që sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rritet edhe vlera e lojtarëve. Por në këtë listë nuk munguan surprizat, ku në të 10-ta vendet e transferimeve më të shtrenjta janë emra të rinj të futbollit, kryesisht, talente.
Në vendin e parë renditet Leny Yoro. Manchester United e bleu mbrojtësit nga Lille për shumën e 62 milionë eurove. Pas tij vjen Moussa Diaby i cili transferua nga Aston Villa në Arabinë Saudite, te skuadra e Al-Ittihad. Arabët e blen sulmuesin për plot 60 milionë euro.
Amadou Onana mban vendin e tretë. Mesfushori belg u transferua nga Everton te Aston Villa. Villa pagoi 59.35 milionë euro për të siguruar shërbimet e futbollistit. Në vendin e katërt është Michael Olise, i cili u transferua nga Crystale Palace te Bayern Munich për shumën e 53 milionë eurove. Douglas Luiz, mesfushori që la Aston Villan për Juventusin mban vendin e pestë. “Zonja e Vjetër” shpenzoi 51.5 milionë euro për të transferuar brazilianin në Torino.
Pas Olise, një tjetër blerje e Bayern Munich renditet në listën e 10 transferimeve më të shtrenjta. Joao Palhinha u transferua për bavarezët për shumën e 51 milionë euro, një shumë e cila kënaqi arkat e drejtuesve të Fulham në Premier League.
Në vendin e shtatë është talenti brazilian Endrick, i cili u transferua nga Palmeiras te Real Madrid. “Los Blancos” shpenzuan 47.5 milionë euro për të siguruar shërbimet e talentit. Max Kilman është një tjetër blerje e shtrenjtë këtë merkato, me West Ham që e mori nga Wolves për 47.5 milionë euro, aq sa Endrick.
Ndërsa në vendin e nëntë është Ian Maatsen. Anësori i mbrojtjes është blerë nga Aston Villa për shumën e 44.5 milionë eurove. Chelsea përfitoi një shumë të majme, për mbrojtësin që nuk ishte në planet e klubit për sezonin e ri. Teksa, kjo listë mbyllet me Joshua Zirkzee. Sulmuesi holandez u transferua nga Bologna te Manchester United për 42.5 milionë euro.