Mbrojtësi i Juventusit, Gleison Bremer ka folur pas dëmtimit të rëndë që do ta lërë për shumë gjatë jashtë fushave. Braziliani thotë që është një moment i vështirë, por do të rikthehet më i fortë. Ndër të tjera, Bremer shton se do të jetë në mbështetje të ekipit gjithmonë.
“Është e vështirë që të gjesh fjalët në këtë moment të vështirë. Për fat të keq rezultati i ekzaminimeve mjekësore ishte më i keqi. Është një sfidë që dua ta përballoj me të njëjtin motivim si gjithmonë, do të jetë një mundësi për t’u rritur.
Mund të përmirësohem dhe të rikthehem më i fortë. Tani kam një rikuperim të gjatë përpara, por mbështetja ime nuk do t’i mungojë ekipit dhe shkoëve të mi. Forca Juventus, gjithmonë me ju!”, ishin fjalët e mbrojtësit brazilian.
Kujtojmë që qendërmbrojtësi i Juventusit, Gleison Bremer doli nga fusha e blertë gjatë ndeshjes në Champions League ndaj Leipzig me dhimbje të dukshme. Pas testimeve të kryera do të humbasë gjysmën e sezonit aktual.
Mjekët bëjnë të ditur se braziliani ka ndrydhur ligamentin e gjurit të majtë, një lëndim ky që kërkon minimumi 6 muaj për tu rikuperuar plotësisht. Tashmë “Zonja” është vënë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesin ideal.