
Zëvendës-presidenti i Interit, Javier Zanetti, është shprehur mjaft hapur për interesimin e Nerazzurrëve për Joshua Zirkzee , sulmuesin e ri dhe të talentuar të Bolognas. Autori i 11 golave e 4 asisteve në Serie A është një objektiv primar i rivalëve të qytetit, Milanit që sheh t’i rrezikohet marrëveshja nga zikaltërit.

"Zirkzee është një kampion i madh. Ne po flasim për një lojtar të ri, të talentuar, inteligjent, fizikisht shumë të fortë. Dikush i tillë do të ishte i dobishëm për çdo ekip të madh që synon qëllime të rëndësishme. Nëse paraqitet një mundësi e rëndësishme, ndoshta mund të mendojmë për atë.
Zirkzee, Lautaro dhe Thuram janë tre sulmues të rinj, të fortë që të japin qetësi. Nëse lindin mundësi që trajneri i konsideron të rëndësishme për të vazhduar rritjen e ekipit tonë, ne do ta bëjmë këtë”, tha Zanetti.
Veç Milanit, për Zirkzee interesohet edhe Juventus duke bërë që gara për bomberin hollandez të jetë mes tre gjigantëve italian.