
Në muajin gusht, Igor Tudor konfirmoi se ky sezon do të jetë i Teun Koopmeiners dhe se ai do të ketë një rol të rëndësishëm. Por mesfushori holandez ende nuk ka dhënë shkëndija tek Juventusi.
Performancat e Teun Koopmeiners nuk kanë qenë aspak të kënaqshme me fanellën bardhezi. Vitin e kaluar, 27-vjeçari erdhi si një transferim me bujë në Torino për shifrën e 60 milionë eurove nga Atalanta.
Megjithatë, Koopmeiners gjendet në një udhëkryq, me Juventusin që nuk mund të presë më. Siç raportojnë mediat italiane, bardhezinjtë janë rikthyer në pistën “Sergej Milinkovic-Savic”.
Kontrata e mesfushorit serb me Al-Hilalin skadon vitin e ardhshëm dhe ende nuk ka negociata mes tij dhe klubit saudit. Kjo mund të sillte një transferim të mundshëm të 30-vjeçarit te Juventusi.