
Juventus ka nisur të mendojë që tani për merkaton e verës. Klubi italian me shumë mundësi do të hidhet në sulm për një lojtarët që do t’i sigurojë golat për sezonin e ardhshëm.
Sipas mediave italiane, Juventus po mendon seriozisht për transferimin e Victor Osimhen. Ky i fundit aktivizohet momentalisht me Galatsaray në formë huazimi, por kartoni i tij i përket Napolit.
Në krahun tjetër për të kryer këtë operacion, torinezët nuk e kanë aspak të lehtë. Prandaj po mendojnë edhe për sakrifikimin e dy talenteve të ekipit, të cilët janë kthyer në titullarë absolut.
Andrea Cambiaso dhe Kenan Yildiz pritet të bëhen “kurban”. Me shitjet e tyre, “Zonja e Vjetër” do të mbushte arkat dhe më pas nuk do ta kishte problem transferimin e Osimhen.
Megjithatë, pritet edhe fjala e fundit nga sulmuesi nigerian, për shkak se oferta për të ka edhe nga Premier League.