
Milan u mposht 2-0 nga Napoli mbrëmjen e djeshme, sfidë e vlefshme për javën e 10-të të Serie A. Një humbje që “dhemb” për kuqezinjtë, të cilët mbetet në vendin e 8-të me 14 pikë, plot 11 pikë më pak se Napoli që kryeson.
Pas kësaj disfate ka folur Paulo Fonseca. Ky i fundit ka theksuar se është gjithmonë përgjegjës për atë që ndodh në fushë. Ndër të tjera shpehet se skuadra e tij do të ringihet dhe do të luftojë për titullin deri në fund, pasi ka edhe shumë ndeshje deri në fund dhe gjithçka mund të ndodhë.
“Unë jam gjithmonë përgjegjës për atë që ndodh në fushë. Kemi bërë gabime, nuk është e lehtë ta nisim ndeshjen me një gol të pranuar pas vetëm pesë minutash. Kemi pasur një reagim të mirë, kemi luajtur futboll pozitiv, kemi krijuar mundësi”, ka thënë ai në një konferencë për media.
A besojmë ende në luftën për titull? Nuk mund të them ndryshe në bazë të asaj që kemi krijuar. Kemi nëntë xhiro të luajtura. Nuk mbaj mend skuadra që kanë fituar kampionatin pas nëntë ndeshjesh. Askush nuk fiton apo humbet kampionatin pas nëntë xhirove. Ne duhet të përmirësojmë rezultatet për të hyrë në këtë luftë. Kishim katër ose pesë situata për të shënuar dhe nuk ishte e lehtë kundër një kundërshtari si Napoli”, ka deklaruar timonieri i kuqezinjve.