
Milan ka zyrtarizuar ditën e djeshme Luka Modric. Kroati transferohet te kuqezinjtë, duke bërë kështu një tjetër lëvizje në karrierën e tij.
Mesfushori pasi mbylli aventurën e tij disa vjeçare me Real Madrid, tashmë nis një eksperiencë të re te Milan i Igli Tares. Pikërisht ky i fundit ka luajtur rolin kryesorë për të bindur veteranin të pranojë ofertën e italianëve.
Për këtë ka folur vetë Modric, i cili shprehet shumë mirënjohës për Taren. Ndër të tjera nënvizon se ishte e lehtë të pranonte ofertën pasi e telefonoi Tare.
“Ishte një vendim shumë i lehtë ta pranoj Milanin kur Igli Tare më telefonoi. Udhëtimi i tij në Kroaci ishte shumë i rëndësishëm, tregoi se sa shumë interesohej Milani dhe sa shumë besonin ata se unë mund të performoja në një nivel të lartë. Kjo ishte pika e kthesës në negociata. Kur dikush dëshiron të të nënshkruajë, është e rëndësishme të më shpjegojë projektin. Më duhej pak kohë për të folur me familjen time, por thellë-thellë e dija se ishte zgjedhja e duhur. Nuk e prisja të ndodhte kaq shpejt, por kjo tregon besimin që kishin tek unë, shpresoj se mund ta shpërblej në fushë”, ka theksuar kroati.