
Milani do të përballet me Monzan mbrëmjen e sotme për Trofeun Berlusconi, një trofe miqësor për nder të ish-pronarit legjendar të të dy klubeve. Në prag të kësaj ndeshje, Zlatan Ibrahimovic i cili tanimë është në krye të kuqezinjve, foli për marrëdhënien e tij me ish-presidentin dhe figurën që ai përfaqëson në klub.
“Kur flasim për Silvio Berlusconin, ne po flasim për dikë që kam respekt të lartë. Kur mbërrita për herë të parë në Milano, ai më solli lumturi dhe më pas njoha personin që admiroja. Për fat të keq, ai nuk është më me ne, por unë do t'i jem gjithmonë mirënjohës për atë që më mësoi.
Ai ishte një njeri i madh dhe do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë. Falë tij, sepse ai ishte Milani, ne përpiqemi ta çojmë Milanin më lart dhe ta bëjmë atë krenar”, shprehet Ibrahimovic.