
Kevin de Bruyne do të kërkojë të lërë gjurmë te Napoli, me belgun që ka nisur kështu aventurën e tij të re në karrierë. Lideri i mesfushës ka dhënë së fundmi një intervistë për mediat italiane, ku ka treguar më shumë për Napolin dhe pse vendosi të transferohet te kampionët.
“A është Napoli një sfidë, një zgjedhje stili jetese apo një trampolinë drejt suksesit? Të treja në të njëjtën kohë. Sinqerisht, kishte mundësi të tjera, por pasi fola me gruan dhe fëmijët e mi, mendova me vete se kjo ishte më e mira.
I peshova të gjithë faktorët, punën dhe jetën, karrierën dhe të ardhmen. Ndër të tjera, ata janë skuadra që fitoi kampionatin, një skuadër e jashtëzakonshme, dhe duke qenë se u përballa me ta në Champions League, e di se si janë. I njoh tifozët, pasionin dhe mbështetjen e tyre. Kështu që Napoli më dha ndjesinë më të mirë.
Një futbollist që ka fituar 24 trofe në karrierën e tij, çfarë mund të ëndërrojë më shumë? Nuk jam ëndërrimtar dhe kjo nuk është ëndërr. Unë jam lojtar dhe kjo është realitet. Kemi njëmbëdhjetë muaj përpara dhe nuk ka kuptim të ëndërrojmë për atë që mund të ndodhë në të ardhmen, mund të fitosh nëse punon shumë. Dua të fitoj gjithçka, sigurisht, por e di që është shumë e vështirë dhe e di që thjesht duhet të punojmë pa u lodhur. Si individë dhe si ekip. Shtyni sa më shumë që të mundeni dhe në fund do të shohim se cili është rezultati”, ka përfunduar belgu.