
Atalanta do të përballet këtë të diel në transfertën e vështirë me Milanin për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Serie A. Supersfida që do të zhvillohet në stadiumin “San Siro”, nis në orën 20:45.
Dy ditë para këtij dueli, ka folur mbrojtësi shqiptar, Berat Gjimshiti. Kapiteni i Kombëtares kuqezi thotë se Milani është një nga skuadrat më të forta në kampionatin italian, pavarësisht problemeve që kanë pasur kohët e fundit.
“E parë nga jashtë, është e vështirë të gjykosh. Kanë paguar çmimin për ndryshimet e shumta të trajnerëve dhe lojtarëve. Pavarësisht kësaj, duke para kualitetet individuale, mbesin mes skuadrave më të forta në kampionat, afërsisht me nivelin e Interit.
Ndeshja e së dielës? Çdo ndeshje llogaritet, nuk mendoj se kjo sfidë ndaj Milanit është më e rëndësishme se të tjerat që janë luajtur. Pas humbjes me Interin, humbëm mundësinë që të synojmë titullin, por tani duhet të fokusohemi vetëm te 3 pikët e radhës.
Goli në ‘San Siro’? Si fëmijë luaja përpara, isha më i gjatë dhe ishte kënaqësi të shënoja. Një gol në ‘San Siro’ do të ishte fantastik, por objektivi i vërtetë është fitorja. Si mbrojtësi mësova të lexoj lëvizjet e sulmuesve dhe kushedi, një ditë do të më ndihmojë që të shënoj një gol vendimtar”, u shpreh Gjimshiti.