
Milan triumfoi në shtëpi ndaj Udineses me shifrat 1-0. Një fitore e rëndësishme për kuqezinjtë që rikthehen te rezultatet pozitive në kampionat, ndërsa ngjiten aktualisht në “top-4”.
Pas këtij triumfi, i cili erdhi edhe me 10 lojtarë në fushën e lojës, pas daljes me të kuq të Reijnders ka folur Paulo Fonseca. Timonieri i kuqezinjve ka theksuar se ekipi luajti si i bashkur dhe se kjo është skuadra që kërkon të ketë.
“Më duhet të them se ndeshja kishte dy pjesë. E pari deri në minutën e 30-të kur morëm karton të kuq. Kemi luajtur 30 minuta me personalitet dhe cilësi të madhe. Ishte afër idesë sime. Pas kartonit të kuq, ishte një lojë e krijuar nga shpirti i ekipit. Ne vuajtëm, por vuajtëm së bashku. Nëse kishte dyshime nëse ky ekip ishte i bashkuar, dëshmuam se jemi të bashkuar. Jam shumë i kënaqur me të gjithë lojtarët. Lojtarët që u prezantuan ishin vendimtarë dhe luajtën për ekipin.
Që nga dita e parë, jam përpjekur të kem një ekip që punon së bashku, vuan dhe mbrohet së bashku. Kjo është arsyeja pse jam i kënaqur. Ky është shpirti që dua të shoh”, ka përfunduar portugezi.