
Pas humbjes së parë sezonale në Champions League kundër Shtutgartit , Juventusi e rinis kampionatin nga derbi i Italisë ndaj Interit. Një nga sfidat më të shumëpritura të sezonit, takim që do të marrë “jetë” ditën e nesërme në orën 18:00 në “San Siro”.
Thiago Motta preferon të mbajë një profil të ulët përpara ndeshjes së madhe kundër “Nerazzurrëve”. Timonieri i “Zonjës së Vjetër” thekson se humbja është lënë pas dhe tashmë i gjithë fokusi dhe përqendrimi janë te Interi, ku synojnë të dalin triumfatorë nga kjo transfertë.
“Shtutgarti është e kaluara. Ne jemi të bindur për lojën dhe idetë tona, duhet të mendojmë për Interin dhe të përpiqemi të japim më të mirën tonë.
Interi? E jetoj shumë mirë sepse e konsideroj ndeshjen e radhës që do të përballemi. Ne jemi të fokusuar, të vendosur dhe do të japim 200%. Ne duhet ta kthejmë lojën në anën tonë. Favoritët e kampionatit tashmë dihet se janë Interi dhe Napoli. Por pavarësisht kësaj ne duhet të përballemi me guxim dhe vendosshmëri me Interin.
Dy skuadra të mëdha me lojtarë të mëdhenj në fushë përballen me njëra-tjetrën. Duhet të jemi të shkëlqyer në fazën mbrojtëse dhe në sulmsulmi, duke i kushtuar vëmendje tranzicioneve”, ka theksuar Motta.