
Stoli i Italisë është momentalisht pa një trajner. Kombëtarja italiane shkarkoi Luciano Spallettin dhe tashmë është në kërkim të një timonieri të ri.
“Azzurrët” u refuzuan nga Claudio Ranieri, me këtë të fundit që preferoi të qëndronte te Roma. Tashmë për stolin e Italisë, duke i gatshëm të rikthehet sërish Roberto Mancini.
Italiani dha dorëheqjen nga Italia në shtator të 2023, pasi preferoi të drejtonte Arabinë Saudite. Aventura tek arabët zgjati vetëm 1 vit, pasi Mancini do të largohej, ndërkohë është shprehur i hapur për një rikthim.
“Këto situata ndodhin në futboll, problemi ishte se dy ose tre prej tyre grumbulloheshin. Është e drejtë të thuhet se nëse unë dhe Gravina do të kishim folur më shpesh gjatë atyre javëve, për të sqaruar gjërat, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur. Ndonjëherë, merren vendime të gabuara.
Është e vërtetë që nuk ndjeva më të njëjtin nivel besimi si më parë, por duhet të kisha folur me presidentin për këtë. Mund ta kisha bërë këtë, dhe është faji im. Sot, kush e di, mund të jemi ende duke punuar së bashku, duke u përpjekur të arrijmë në Kupën e Botës. Ndoshta, pasi të fitojmë Kampionatin Evropian për herë të dytë.
Nuk ka asgjë më të mirë sesa të stërvitësh ekipin kombëtar. Kam fituar me klube, por të fitosh me Italinë është diçka krejtësisht tjetër. Gjithashtu, gjithmonë dëshiron të kthehesh aty ku ishe i lumtur. U ndjeva fantastikisht në Coverciano, atmosfera ishte vërtet fantastike.
Nuk ka dyshim se do të ishte një sfidë e madhe, një rrezik i madh. Por ndonjëherë duhet të marrësh rreziqe, apo jo?”, ka përfunduar italiani.