Teksa po i afrohemi fundit të këtij sezoni, klubet më në zë të Europës do t’i drejtohen merkatos së verës për të përforcuar organikën e tyre dhe për t’i paraprirë edicioni të ardhshëm futbollistik.
Një prej tyre është dhe Juventus, që në rast të një rikthimi në Champions League do të bënin çmos t’ia plotësonin dëshirat trajnerit Luciano Spalleti, i cili kërkon emra me peshë për të rritur nivelin e skuadrës dhe nxitur konkurrencën.
Për këtë arsye, drejtuesit e bardhezinjve kanë hedhur sytë pikërisht tek Real Madrid, aty ku “orbitën” e skuadrës torineze kanë përfunduar 3 lojtarë. Bëhet fjalë për Brahim Diaz, djaloshin e akademisë Gonzalo Garcian dhe David Alaba, me këtë të fundit i cili do të përfundojë kontratën me “Los Blancos”.
Sakaq, në radhët e madrilenëve po përgatitet revolucioni. Pas një tjetër viti me dështime, tensione dhe pa trofe, Mbretërorët do të përfshihen në një sërë ndryshimesh, të cilat do të prekin stolin dhe mandej lojtarët e padëshiruar.
