
Arne Slot mori drejtimin e Liverpool pas largimit të Jurgen Klopp. Timonieri holandez do të synojë që të arrijë sa më shumë rezultate pozitive me “The Reds” në mënyrë që të “harrohet” paraardhësi i tij.
Por drejtuesit deri më tani nuk kanë bërë asnjë afrim gjatë kësaj merkatoje. Diçka e tillë ka nisur të shqetësojë tifozët. Për të qetësuar këto të fundit ka menduar vetë Slot. Ky i fundit ka theksuar se është majft i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicionb, ndërsa nënvizon se është shumë e vështirë të gjejë futbollistë që janë në nivel më të lartë se aktualët.
“Qëllimi im primar është të punoj me lojtarët që kam në dispozicion. Natyrisht është një disavantazh fakti që shumë prej tyre nuk janë bashkuar ende me ne, e kam fjalën për lojtarët që ndodhën nën kontratë.
Në këtë periudhë pjesë e ekipit janë shumë lojtarë të rinj, kjo është diçka pozitive për klubin. Por niveli i Liverpoolit është tepër i lartë. Ne kemi një skuadër shumë të mirë.
Sigurisht që po punojmë që të përmirësohemi. Si fillim dua të vlerësoj lojtarët aktualë, teksa nuk është e thjeshtë të gjesh lojtarë që janë në të njëjtin nivel apo më lart se këta që kemi.
Gjithsesi, unë mbetem në kontakt me drejtuesit, të cilët po zhvillojnë një punë të madhe. Unë jam shumë i kënaqur me Liverpoolin që kam.
Por e pranoj se do të ishte një surprizë e madhe nëse nuk sigurojmë asnjë përforcim. Kështu që me shumë mundësi do të vijë edhe koha e afrimeve të reja. Për momentin po presim të rikthehen të gjithë në bazë”, u shpreh Slot.