
Trajneri italian Carlo Ancelotti zbuloi arsyet e mungesës së yllit të Santos dhe të tjerëve nga lista e tij e parë përpara kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Ish-trajneri i Real Madridit e bëri të qartë se si ekipi ashtu edhe ai personalisht e kanë ende Neymarin në planet e tyre. “Brazili po mbështetet tek ai. Ai u kthye në Brazil për t’u përgatitur siç duhet për Kupën e Botës. Fola me të këtë mëngjes për t’i shpjeguar vendimin tim dhe ai ishte plotësisht mirëkuptues”, shtoi Ancelotti.
Pasi u rikuperua nga një dëmtim i rëndë në gju që e mbajti jashtë për më shumë se një vit gjatë kohës së tij me Al-Hilal , ish- ylli i Barcelonës dhe PSG-së është përballur me probleme të përsëritura fizike që nga rikthimi te Santos . Që nga janari, ai ka pësuar tre dëmtime të ndryshme që i kanë penguar përpjekjet e tij për të rifituar formën e plotë fizike.
Neymar u thirr më parë nga ish-trajneri Dorival Junior për ndeshjet kundër Kolumbisë dhe Argjentinës , por iu desh të tërhiqej për shkak të lëndimeve. Ai u emërua gjithashtu në listën paraprake prej 50 lojtarësh të Ancelottit dhe luajti 60 minuta në dy ndeshjet e tij të fundit me Santos, duke ngjallur shpresa për një rikthim, por në fund u la jashtë.
Ancelotti do të debutojë si trajner i Brazilit më 5 qershor kundër Ekuadorit në “Guayaquil”, e më pas do të luajë në shtëpi më 10 qershor kundër Paraguait në “Neo Química Arena” në Sao Paulo. Brazili aktualisht ndodhet në vendin e katërt në renditjen e CONMEBOL me 21 pikë, dhjetë pikë prapa liderit Argjentinë. Gjashtë ekipet e para do të kualifikohen direkt për Kupën e Botës 2026. Me Ekuadorin në vendin e dytë dhe Paraguain me pikë të barabarta, ndeshjet e ardhshme mund të jenë vendimtare për kapitullin e ri të Ancelottit.